Sunday, May 5, 2013

Mendoni se e njihni Elvanen?(video)

Duket sikur ajo nuk do të bjerë kurrë nga piedestali ku qëndron prej disa vitesh. Edhe kur këngët e saj nuk godasin që në fillim, ka diçka që i bën ato shumë të pëlqyera me kalimin e kohës. Meritë kjo e Elvanës, apo e Florit, që është krijuesi i të gjitha këngëve të saj? Këtë nuk dimë ta themi me siguri. Por jemi të bindur ama që bashkëpunimi mes tyre prodhon vetëm suksese. Janë kthyer tashmë në një ‘brand’ për tregun muzikor shqiptar dhe për këtë arsye çdo gjë që bëjnë përkthehet në lajm. Po për këtë arsye ata vazhdojnë të qëndrojnë në qendër të vëmendjes së publikut. Mjafton një foto në Instagram, një status, një këngë e re, një fabul, klip, koncert apo album, që Elvana dhe Flori të ‘bllokojnë’ rrjetet sociale. Por sot nuk do të flasim për ata si dyshe. Një tjetër motiv na ka shtyrë për ta takuar Elvanën… Ajo iu rikthye dje kryeqytetit pas më shumë se tri vitesh. Koncerti madhështor që u mbajt mbrëmjen e së premtes në “Dream City”, jemi të bindur që do ta kthejë sërish Elvanën në më të përfolurën e javës. Pse Elvana shfaqet kaq rrallë në Tiranë, polemikat e ngritura për këngët e reja, albumi që pritet të dalë dhe jeta familjare e këngëtares shumë të suksesshme, do të vijnë sot të shtjelluara nga vetë ajo në një rrëfim ekskluziv për “Bluetooth”.
Koncerti
Ka më shumë se tri vite që i mungon Tiranës, megjithëse ofertat i ka me kile. Dëshiron shumë që daljet e saj në kryeqytet të jenë të mirëmenduara, në mënyrë që publiku ta marrë në dozat më të larta kënaqësinë, ashtu sikundër dje të pranishmit në “Dream City” u ‘çmendën’ pas saj. Kjo është arsyeja pse refuzon. “Tirana është vendi ku kam lindur dhe jam rritur. E dua këtë vend dhe publiku i Tiranës është i veçantë për mua.
Ndaj, si i tillë që është, kam refuzuar shumë kërkesa për mbrëmje, ndër vite, pasi doja që ky koncert të ishte i veçantë. Këtë vit unë publikoj dhe albumin tim të tretë dhe si pasojë i gjithë viti ka nisur me promovime singëllash. Sot (dje) unë prezantova dhe muzikë-videon time më të re, gjithashtu pjesë e albumit. Kjo ishte arsyeja pse zgjodhëm të ishte ky momenti për të performuar në Tiranë. Për këtë koncert u desh një punë shumë e madhe dhe një suport edhe më i madh, për të cilin jam ndjerë e privilegjuar. Faleminderit ‘Threedots’, ‘Nrg radio’, ‘Orange’… Përjetova një emocion të paharrueshëm”, – u shpreh Elvana, vetëm pak minuta pas përfundimit të setit të parë të këngëve në koncertin e mbrëmshëm. Na e vuri si kusht që suplementi të mos shkonte në shtypshkronjë pa marrë këtë emocion të parë prej saj nga koncerti dhe ne ia plotësuam dëshirën, duke sjellë kështu sot një panoramë të asaj që ndodhi dje në “Dream City”.
Jeta profesionale
Albumi i tretë është në proces, por ndërkohë, që prej fillimit të këtij viti Elvana nuk ka reshtur së prezantuari krijime të reja muzikore. Plot tetë këngë i janë shtuar fondit të krijimtarisë së saj artistike gjatë këtij 5-mujori. Shumica prej tyre janë pritur mirë, por nuk kanë munguar këtë herë as polemikat. Kënga “Fake”, e cila erdhi edhe në versionin video, është komentuar nga shumë njerëz si një mesazh që Elvana ka dashur t’ua përcjellë kolegëve të saj në muzikë.
Po a është vërtet kështu? Ja çfarë thotë Elvana: “Albumi i tretë është një album novator, i cili prodhon tendencë në rryma si hip-hop, dupstep, trap music, R&B e sjellë në stilin retro. Si “Fake”, “Beso”, dhe pesë krijime krejtësisht të reja të prezantuara në një ‘live studio session’, e them me krenari, i pari në Shqipëri. Jam e lumtur që përmes këtij albumi mund të shpreh çdo ndjesi, çdo mendim dhe të përcjell një mesazh, madje të shpreh edhe ato gjëra që më shqetësojnë. Gjë që e kam bërë me “Fake”. Falsiteti është një dukuri që po gjen shtrirje gjithmonë e më shumë në shoqërinë tonë. Njerëz që sillen fallco, njerëz që mendojnë, vishen, flasin, qeshin, punojnë dhe duan fallco. Në këtë xhungël prej betoni unë ndihem ende prej mishi e gjaku, ndaj guxova të prek një temë të tillë që jo çdokush e përqafoi, sepse jo çdokujt i pëlqen e vërteta… Sigurisht që edhe unë nuk jam perfekte, kam pikat e mia të forta dhe të dobëta, por refuzoj që falsitetin ta bëj pjesë të jetës sime. “Beso” ishte një bashkëpunim i suksesshëm me artistin, reperin nga Kosova, Besnikun (2 PO 2). Artistët me të cilët kam bashkëpunuar në këtë album janë më të mirët dhe ata kanë vërtetuar që prodhojnë tendenca. I tillë është edhe Mc Kresha, i cili përqafoi menjëherë idenë për të bërë një këngë R&B të pastër, e stilit të viteve ‘80-‘90. Ndaj dhe kënga titullohet ‘1990’. Do doja shumë t’i kisha jetuar ato vite, pasi kanë qenë shumë të rëndësishme dhe bazë për muzikën që ne bëjmë sot”, – ka rrëfyer këngëtarja, duke zbuluar sakaq diçka më shumë për projektin që prezantoi mbrëmë për herë të parë përballë publikut kryeqytetas. Në këtë muaj të nxehtë për jetën politike, nuk mund të rrinim pa e ngacmuar këngëtaren edhe për fushatën elektorale. A do të jesh pjesë e fushatës?! – është pyetja që u bëhet përgjithësisht të gjithë këngëtarëve në këto kohë. “Edhe këtë vit kam pasur propozime për të qenë pjesë e fushatave elektorale, por duke qenë se është vit shumë i ngjeshur me angazhime muzikore, menaxhimi im ende nuk e ka vendosur”, – ka qenë përgjigjja e Elvanës për këtë pyetje.
Jeta private
Një tjetër fragment shumë i diskutuar nga jeta e saj në javët e fundit ka qenë edhe lidhja që Elvana ka me familjen. Një foto e postuar në Instagram nga vetë ajo ka bërë që në faqet e shtypit të ngrihen lloj-lloj aludimesh për marrëdhënien e yllit të popit me të ëmën. “Jam shumë e lidhur me familjen. Do të doja shumë që në shtëpinë time të re ku do të shpërngulem së shpejti, ata të jetonin sërish me mua. Ose të paktën të banojnë shumë pranë meje. Dua t’i kem sa më pranë, dhe shqetësohem për ta në detajet më të vogla. Kur ata janë mirë, unë jam e lumtur”, – thotë Elvana, si për të mohuar çdo zë që ka qarkulluar. Ndërkaq, nga ana tjetër daljet e saj të rralla në publik, në evente apo edhe në jetën e natës, ngrenë hera-herës dyshime të paqena. “Ruaj ende të njëjtët miq si vite më parë, pasi jam ende shumë e rezervuar në daljet e mia në Tiranë dhe si pasojë, e rezervuar në njohje apo hyrje të reja njerëzish në jetën time. Pjesën më të madhe të kohës e kaloj në studio. Madje edhe kur kam kohë të lirë preferoj të qëndroj sërish aty, pasi studio ‘Threedots’ tani është bërë si një familje e madhe me artistë të rinj, kompozitorë dhe staf. Ndodh që ndonjë fundjavë që jemi të lirë nga angazhimet, nuk dalim në mbrëmje, por mblidhemi në një prej ambienteve të studios dhe fillojmë kërcejmë, këndojmë me kitarë dhe Klajdi Haruni na ndez me serenata korçare (qesh)”, – rrëfen Elvana.
Elvana si ‘fashion icon’
Ka qëlluar jo rrallëherë që Elvana të komentohet edhe për veshjet siç ishte p.sh. rasti i “X-Factor”. Është apo jo ajo e ndikuar nga yjet ndërkombëtare dhe si i sheh ylli shqiptar komentet e njerëzve për daljet e saj publike?! “Jam shumë e updateuar me tendencat më të fundit të modës dhe mundohem të gjej atë që i përshtatet personalitetit tim artistik. Por jo gjithmonë ndodh që në videot e mia të vishem me atë çka është në trend, pasi më pëlqen që veshja të jetë e përshtatur totalisht me subjektin e klipit. Jam aq e kujdesshme dhe po aq më pëlqen të guxoj në look. Siç ndodhi me veshjen në ‘X Factor’… Asgjë nuk ndodh rastësisht. E di shumë mirë çfarë dua. Unë e di çfarë duket bukur tek mua. Më pëlqen që, ashtu siç kam bërë ndër vite, të sjell risi dhe në look”, – përfundoi Elvana. E kështu, duke shpresuar që të kemi bërë një pasqyrë të saktë mbi atë që flitet e komentohet lart e poshtë për Elvana Gjatën, po e mbyllim këtu këtë rrëfim të sajin, për t’ju lënë takimin e radhës shumë shpejt, me të tjera të reja nga Elvana. /ana-ks.net

No comments:

Post a Comment